Qendra për Hapje dhe Dialog, #COD Shkodër, zhvilloi sot në ambientet e bibliotekës “Marin Barleti” aktivitetin “Shprehur në vargje” me tematikë: “Gegnishtja, autorë shkodranë”. Mësuesja Violeta Berisha vuri në dukje rëndësinë e gjuhës shqipe në Ditën Ndërkombëtare të saj. Kjo gjuhë u ka mbijetuar rrebesheve të historisë, duke e ruajtur identitetin e saj falë shpirtit të paepur të një populli të tërë për ta mbajtur atë gjallë, falë punës së pishtarëve të shkrimit shqip, që kanë mbajtur të ndezur zjarrin e dashurisë për gjuhën.
E pikërisht të gjalla, të bukura, të thjeshta erdhën në gegnisht vargjet e Mjedës, Fishtës, Migjienit, të interpretuara me aq mjeshtëri nga nxënësit e talentuar të shkollës “Oso Kuka”. Siç thotë shkrimtari Blerim Bytyçi “Rrënja e një populli është gjuha e tij”.